Mediat serbe shkruajnë se po i vjen fundi pauzës në betejën për njohje të reja, apo tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Një gjë të tillë e kanë paralajmëruar autoritetet në Prishtinë, por edhe nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Madje analisti serb Dushan Janjiq thotë se Qeveria e Albin Kurtit ka përgatitur një fushatë diplomatike, për njohje të reja në vjeshtë.

Në Marrëveshjen e Washingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë nga ish kryeministri Hoti dhe presidenti serb Vuçiq, të dyja palët u zotuan se deri në fund të shtatorit 2021 do të përmbahen nga beteja për anëtarësim e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe serbët nga fushata për “çnjohje”.

Media serbe “N1” shkruan se pothuajse një vit më vonë, gjithçka ka ndryshuar. Jo vetëm që nuk është më Trump [ish presidenti amerikan], por marrëveshja e shtatorit të kaluar në Washington mbeti një dokument i vdekur – në dy letra të të ndryshme që Beogradi dhe Prishtina e nënshkruan me administratën presidentit Trump.

Megjithatë, një pikë e kësaj marrëveshjeje ka mbijetuar dhe deri tash është respektuar – Prishtina nuk ka lobuar për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, as Beogradi nuk është përpjekur të bëjë tërheqje të reja të njohjeve.

“Në takimin në Stamboll, Ministri i Mbrojtjes i Kosovës u bëri thirrje të hapur kolegëve të tij nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani që në vendet e tyre të avokojnë për njohjen e Kosovës”, shkruan gazeta serbe, përcjell Telegrafi.

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike thotë se Qeveria e Albin Kurtit ka përgatitur një fushatë diplomatike.

“Ata po përgatiten për vjeshtë. Testi i tyre i parë është UNESCO, pastaj shkojnë në Interpol. Pra shkojnë përmes testeve. Absolutisht është e artë se partnerët e tyre, para së gjithash Shtetet e Bashkuara do t’i mbështesin. Unë e shoh këtë nga kontaktet me diplomatët nga vendet që e kanë njohur Kosovën dhe atyre që nuk e kanë njohur. Shoh se po ndryshojnë qëndrimet lidhur me UNESCO -n”, tha Janjiq.

Presidenti serb Vuçiq tha se thirrjet e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës drejtuar Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Azerbajxhanit ishin një shkelje e drejtpërdrejtë e Marrëveshjes së Uashingtonit.

“Faleminderit që na liruan duart”, i tha presidenti Vuçiq.

Në pyetjen e “N1” nëse është shkelur dispozita e Marrëveshjes së Washingtonit për përmbajtjen nga fushata për njohje, Ambasada e SHBA në Beograd udhëzoi të dyja palët që të vazhdojnë dialogun.

“Ne inkurajojmë zyrtarët në Beograd dhe Prishtinë të respektojnë angazhimet e marra në marrëveshjen e Washingtonit dhe të gjejnë një mënyrë për t’iu qasur dhe zgjidhur kësaj çështjeje përmes dialogut që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian”, thanë nga Ambasada Amerikane