Një drejtor i Komunës së Podujevës është gjobitur nga zyrtarët policorë, pasi i njëjti nuk i ka përfillur masat e reja anti-covid, raporton Llapi.info.

I njëjti është gjobitur gjatë ditës së djeshme për mos bartje të maskës.

Kështu ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, i cili edhe konfirmoi gjobitjen e drejtorit komunal. Llapi.info ka tentuar të marrë detaje nga Zhitija se për cilin drejtor bëhet fjalë, mirëpo i njëjti ka thënë se për detaje tjera duhet referuar Policisë në Podujevë.

Zyrtarë të shumë policorë, shumica prej tyre civilë, janë duke gjobitur qytetarët llapjanë për mosbartje të maskës. Gjobat kanë nisur ditët e fundit, kur edhe kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-covid, me qëllim që të ndalohet përhapja e mëtejme e virusit korona.

Për këtë, vetëm gjatë muajit gusht në Komunën e Podujevës janë gjobitur mbi 500 qytetarë llapjanë. Kështu ka thënë në mbledhjen e mbajtur të Shtabit Emergjent Komunal, komandanti i Stacionit të Policisë, Nijazi Jashari.

“Policia është duke zbatuar planin operativ për zbatimin e masave mbrojtëse kundër COVID-19, ku vetëm gjatë muajit gusht janë lëshuar 559 tiketa për qytetarët të cilët nuk kanë respektuar masat anti covid dhe janë gjobitur rreth 13 lokale për mosrespektim të masave”, ka thënë Jashari.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në 6,568. Deri tash janë raportuar 78 viktima, kurse 5,065 pacientë janë shpallur të shëruar. Aktualisht në këtë Komunë janë aktivë edhe 1.425 persona./Llapi.info