Filmi i shkurtër “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda, ka arritur të fitoi çmimin kryesor në njërin ndër festivalet më të rëndësishëm në botë Toronto “International Film Festival”.
Me këtë çmim, filmi në fjalë zyrtarisht kualifikohet për kategorinë e filmit të shkurtër për Oscars 2022.
Regjisori Karahoda drejtuar festivalit dhe audiencës, tha që këtë çmim ia dedikon atyre për të cilët edhe u punua filmi, pra për të gjithë sportistët dhe talentët e rinjë të vendit tim të vogël dhe të bukur.
“Sipas jurisë së Festivalit gara u dallua nga një përzgjedhje e fortë e filmave. Filmi “Pa Vend” nga Samir Karahoda na mahniti me pamjen, vendndodhjet dhe personazhet e tij unike e sollën në jetë një përkushtim kishotian, por të vendosur, ndaj një sporti – dhe një vendi – që është e vështirë të artikulohet, madje edhe ndaj vetëvetës”, thuhet në një komunikatë për media.
TIFF njihet si festivali më i madh publik në botë dhe festivali më i rëndësishëm në Amerikën Veriore, ku këtë vit u organizua edicioni i 46-të ndërsa “Pa Vend” ishte në programin e filmave të shkurtër Short-Cuts ku konkuruan gjithsej 38 filma nga 23 shtete.
Rrugëtimi i “Pa vend” deri më tani duket mjaft mbresëlënës, deri në fund të Nëntorit filmi do të udhëtoj në 17 festivale dhe ku do të shfaqet si premierë në të gjitha këto shtete.
Ndryshe, filmi “Pa vend” premierën botërore e kishte në festivalin e Kanës ku edhe u nominua si filmi më i mirë Evropian për ceremoninë Europian Film Awards i cili njihet edhe si Oscari Evropian.