Pothuajse çdo ditë gjatë 40 viteve të fundit, zhytësi profesional Jim Abernethy noton me peshkaqenë dhe i konsideron si miqtë më të mirë.

Abernethy “shoqërohet” me peshkaqenët në ujërat e pastra të Oqeanit në Bahama, më saktësisht në plazhin Tiger, transmeton Telegrafi.

Ai nganjëherë është i rrethuar nga 30 apo më shumë peshkaqenë të llojeve të ndryshme, por Abernethy thotë se kurrë nuk e ka pasur as edhe një problem me ta.

Përkundrazi, me peshkaqenët ka ndërtuar një raport të veçantë – kështu grabitqarët detarë i afrohen për t’i përkëdhelur. Jim zhytet pa kafaz dhe çfarëdo pajisje tjetër mbrojtëse.

“Sigurisht se do të mendoni se dikush sikurse unë që jeton në det, që zhytet me peshkaqenë më shumë se kushdo tjetër në botë – nuk ka duar apo këmbë. Shumica e njerëzve i urrejnë peshkaqenët, por nëpër filma i kanë prezantuar si përbindësha që masakrojnë njerëzit – aty e kuptova se është krejt e kundërta”, tha Abernethy.

Madje peshkaqenët i konsideron miqtë më të mirë, thotë se sa herë që lundron me një varkë, shikon peshkaqenët rreth saj dhe i krijohet përshtypja sikur ka shkuar në një aheng të adoleshentëve, ku mblidhen të rinjtë për t’u argëtuar.