Katër raste aktive po vazhdojnë të jenë në Komunën e Podujevës, teksa numri i rasteve të reja dita-ditës në këtë Komunë po pëson rënie, shkruan Llapi.info.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama, ka thënë për Llapi.info se krahas rasteve të reja, procesi i vaksinimit kundër virusit korona është duke u zhvilluar normalisht.

Rama, duke bërë thirrje tek qytetarët që të vaksinohen, ka deklaruar se deri më tani në këtë Komunë janë administruar mbi 75 mijë vaksina, duke bërë kështu që Podujeva të jetë ndër Komunat me më së shumti qytetarët të vaksinuar.

“Deri më tani në Podujevë janë administruar 75 mijë e 250 vaksina anti-cocvid”, është shprehur epidemiologia e vetme në Podujevë, Bedrie Rama.

Më tej, Rama ka thënë se në Podujevë janë konfirmuar 75 raste të vdekjeve me COVID-19, ndërkohë që mbi 7 mijë llapjanë kanë rezultuar pozitivë me këtë virus.

“Që nga fillimi i pandemisë i kemi pasur 7 mijë e 250 qytetarë të infektuar me COVID-19. Prej tyre, 7.172 pacientë janë shpallur të shëruar dhe 74 raste exitus (vdekje). Aktualisht në Podujevë janë katër raste aktive”, ka thënë Rama.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka bërë të ditur se sot në vend janë konfirmuar 16 raste pozitive me virusin korona./Llapi.info