Federata e Futbollit e Kosovës ka shpallur sot më të mirët e vitit 2021.Brenda kësaj ceremonie janë shpallur më të mirët e vitit, shkruan GazetaBlic Sport.
Trajneri më i mirë i vitit u shpall, Zekirja Ramadani, ish udhëheqësi i skuadrës së Prishtinës.
Megjithatë, trajneri i Llapit, Tahir Batatina nuk ishte shumë i kënaqur me këtë vendim dhe në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport”, ai tha se po vazhdohet me avazin e vjetër të ndarjes së këtyre çmimeve.
“Futbollistët e përzgjedhur nga trajnerët e meritojnë të gjithë. Ndërsa, kur flasin për rolin e trajnerit, vlerësimin e kanë bërë njerëzit pa bagazh e të cilët nuk kanë dhënë asgjë për futbollin. Ka mbetur një avaz i vjetër i zgjedhjes së trajnerit. Nuk është hera e parë që merren vendime të tilla e që nuk dua as të merrem shumë me ta“, tha Batatina për GazetaBlic Sport.Në anën tjetër, ai tha se edhe klubi i Llapit e meritonte të ishte klubi i vitit.
“Mendoj që e kemi merituar të jemi para Prishtinës si skuadra më e mirë e vitit. Ne kemi fituar tre trofe të njohur nga Federata e Futbollit të Kosovës. Ne madje e kemi mposhtur edhe skuadrën e Prishtinës në Superkupë“, tha Batatina.