Organizata MaK me ndihmën e Manchesterit kanë organizuar një program veror për fëmijët llapjanë, i cili ka filluar që nga dita e hënë dhe do të përfundojë sante me një program festiv i cili do të mbahet në sheshin e qytetit në Podujevë në orën 20:00, ku do të performohet shfaqja kryesore e cila është përgatitur nga fëmijët pjesëmarrës, si dhe në fund do të përmbyllet programi me një film vizatimor për fëmijë.

Përfaqësuesi i MaK- ut, Armend Bajgora për Llapi.info ka thënë se programi veror po organizohet për të 11-tën herë, i cili mbahet në parkun e paqes në Podujevë.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është që në këtë kohë kur shkollat nuk janë aktive, të kenë një vend ku mund të mësojnë për lodra, aktivitete të ndryshme si muzikë, drama apo shfaqje të ndryshme si dhe mësojnë se si të përgatisin materiale të ndryshme me anë të letrës, palomave apo shkopinjëve.

Pjesëmarrës këtë javë kanë qenë rreth 250 fëmijë nga mosha 5 deri në 13 vjeç” ka thënë Bajgora.

Përfaqësuesi i MAK–ut më tej ka thënë këtë klub veror përveç liderëve kosovarë nga mosha 16 deri në 30 vjeç, e kanë përcjellë edhe 17 liderë nga Anglia që së bashku me ta e kanë realizuar këtë klub veror.

Ai ka thënë se ky projekt do të vazhdojë edhe javën e ardhshme ku do të realizohet nëpër shkolla të ndryshme në Komunë të Podujevës.

“Të hënën do të mbahet në shkollën “Luigj Gurakuqi” në fshatin Gërdoc, të martën në Shkollën Fillore”Ibrahim Rugova” Podujevë, të mërkurën në fshatin Siboc si dhe ne kemi menduar që dy ditët tjera ta bëjmë në Dobratin ose në Letanc” ka shtuar Bajgora.

Lisa Jeffey, organizatore e programit nga Britania ka treguar së çdo verë organizohen projekte të tilla me fëmijë, ku organizohen aktivitete të ndryshme për fëmijë si sport, muzikë e lojëra të ndryshme.

Ajo ka thënë se është shumë e kënaqur më mënyrën se si është organizuar projekti, duke thënë se është shumë mirë të punosh me fëmijët sepse ata janë shumë kreativ e të zgjuar./Llapi.info