Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka konfirmuar sot edhe 59 raste të reja me koronavirus në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, gjatë 24-orëve të fundit nuk është shëruar asnjë pacient, duke bërë kështu që numri i rasteve aktive të rritet në 187. Më së shumti raste të konfirmuara janë të moshës së mitur.

Gjatë këtyre javëve të fundit janë konfirmuar dhjetëra raste pozitive thuajse çdo ditë. Në fillim të janarit në Podujevë ka qenë vetëm një rast aktiv.

Që nga fillimi i pandemisë, mbi 7 mijë qytetarë llapjanë kanë qenë të infektuar me COVID-19. Prej tyre, 74 raste kanë përfunduar me fatalitet. Deri më tani në Podujevë janë administruar rreth 80 mijë vaksina.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar sot një rekord prej 2,943 rasteve të reja me koronavirus. Raste aktive janë 12,396.

Si pasojë e rritjes së rasteve, Qeveria e Kosovës ka miratuar sonte masa të reja për luftim të pandemisë së koronavirusit, pas rritjes së numrit të rasteve të infektimit.

Sipas vendimit të Qeverisë, qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese. Ata që nuk kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë. Kufizimi i qarkullimit do të aplikohet nga ora 22:00 deri në orën 05:00. Sa i përket procesit mësimor, në vendim është thënë që të gjitha institucionet e arsimit para-universitar duhet të zhvillojnë mësimin sipas skenarëve të përcaktuara më herët, varësisht prej gjendjes nëpër klasa.

Autoritetet e Kosovës kanë miratuar më parë tre skenarë për zhvillim të mësimit në kohë të pandemisë. Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online.

Sa u përket institucioneve të arsimit të lartë, në vendim është thënë se mësimi mund të zhvillohet me prani fizike, me kusht që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50 për qind të hapësirës. Bizneset e gastronomisë mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri më 21:00. Muzika në këto biznese lejohet deri në orën 20:30./Llapi.info