Autoritetet në Kosovë e kanë mirëpritur vendimin e Këshillit Federal të Gjermanisë për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cilësoi si lajm “shumë të mirë” për diasporën e Kosovës në Gjermani.

“Ky hap sot konfirmon besueshmërinë e institucioneve gjermane në procedurat dhe punën e institucioneve tona, e rrjedhimisht kontribuon në avancimin tutje të raporteve tona tashmë të shkëlqyeshme bilaterale. Do të vazhdojmë punën në bashkëpunim me institucionet tjera në vend për t’u siguruar që ky shembull të ndiqet edhe nga shtetet e tjera të BE-së”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i falënderoi autoritetet gjermane për miratimin e marrëveshjes për njohjen e patentë shoferëve, duke shtuar se ky vendim tregon “besimin e plotë ndaj autoriteteve kompetente të Kosovës”.

Autoritetet e Kosovës në të kaluarën kanë negociuar veç e veç me disa shtete evropiane, me qëllim që shtetasve të Kosovës, që jetojnë në shtetet e Bashkimit Evropian, t’iu njihet patentë shoferi.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 850,000 qytetarë të Kosovës jetojnë jashtë vendit. Numri më i madh i tyre jeton në Gjermani dhe Zvicër.