Llapi ka fituar me rezultat të pastër 2-0 ndaj Ulpianës në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të në BKT Superligën e Kosovës, raporton Llapi.info.
Pjesa e parë në fushën e rinovuar “Zahir Pajaziti” u mbyll pa gola, përkundër që skuadrat patën disa raste shënimi.
Në të dytën, ishin vendasit që realizuan dy herë. Fillimisht Alban Shillova shënoi për 1-0 në minutën e 54’, ndërkohë që nëntë minuta më vonë Çlirim Avdulli me autogol ngriti shifrat në 2-0. Me këtë rezultat u mbyll ndeshja.
Me këtë fitore, Llapi arrin në kuotën 32 pikëve dhe pozicionohet në vendin e katërt, e në anën tjetër, Ulpiana ka 18 sosh dhe radhitet në vendin e parafundit.
Në xhiron e radhës, Llapi do të ketë punë me Dritën në Gjilan – derbi i javës së njëzetë, derisa Ulpiana pret në shtëpi Malishevën /Llapi.info