Llapi ka shënuar fitore bindëse ndaj Feronikelit me rezultat 4-2 në kuadër të javës së 21-të të Superligës së Kosovës, raporton Llapi.info.

Nikoqirët në “Zahir Pajaziti” shënuan katër herë në pjesën e parë. Serinë e golave e hapi Alef Firmino qysh në minutën e 6’. Katër minuta më vonë Adem Maliqi dyfishoi epërsinë në 2-0.

Latif Amadu ngriti shifrat në 3-0 kur po zhvillohej minuta e 34’, derisa Bianor Neto në minutën e 41’ shënoi për 4-0. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë në stadiumin e qytetit të Podujevës.

Në të dytën, ishin mysafirët nga Drenasi që shënuan dy herë. Kaltrin Seferi në minutën 71’, ndërkohë që për epilogun përfundimtar 4-2 u përkujdes Sokol Kiqina në minutën e 84’.

Me këtë fitore, Llapi arrin në kuotën e 36 pikëve dhe vazhdon të jetë në vendin e katërt, e në anën tjetër, Feronikeli ka vetëm 11 pikë dhe radhitet në fund të tabelës.

Në xhiron e radhës, Llapi pret Malishevën, kurse Feronikeli është nikoqir i Dukagjinit./Llapi.info