Llapi ka shënuar fitore bindëse ndaj Malishevës me rezultat 3-0 në kuadër të xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës, raporton Llapi.info.

Nikoqirët realizuan dy herë në pjesën e parë. Ishte Valmir Veliu ai që shënoi dy gola në këtë pjesë lojë në “Zahir Pajaziti”.

Fillimisht sulmuesi i krahut shënoi në minutën e 27’, ndërkohë që në minutën e 44’ dyfishoi epërsinë e ekipit llapjan. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë në stadiumin e qytetit të Podujevës.

Llapi mbeti me një lojtar më pak në fushë në minutën e 72’, pasi Benjamin Ejupi u ndëshkua me karton të kuq. Përkundër kësaj, Llapi arriti të shënoi edhe një herë në portën e mysafirëve. Arbnor Ramadani u përkujdes për rezultatin 3-0, rezultat me të cilin edhe u mbyll kjo xhiro.

Me këtë fitore, ekipi nga Podujeva radhitet në vendin e katërt në tabelë me 39 pikë të grumbulluara, derisa Malisheva ka 23 sosh në pozitën e shtatë.

Vlen të theksohet se ekipi që drejtohet nga Tahir Batatina është tash e 13 ndeshje pa disfatë./Llapi.info