Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Kadri Kastrati, ka kujtuar 24 marsin e vitit 1999, Ditën e Bombardimeve të NATO-s.

Atë kohë si zëvendëskomandant i Zonës Operative të Llapit, thotë se arritja e marrëveshjes ushtarako teknike ka qenë lajmi më i mirë për të gjithë, në veçanti për civilët shqiptarë.

Kur u pyet, në Radio KlanKosovaFM, se a duhet të vazhdojë të qëndrojë NATO në Kosovë edhe pas 23 vjetësh, gjeneral Krastrati u shpreh:

”NATO duhet të vazhdojë me qenë në Kosovë, dhe si vend kemi nevojë për KFOR-in derisa të kemi një forcim me të madh të ushtrisë tonë”.

Gjeneral Kastrati, ka folur edhe për thirrjen e liderëve të NATO-s që Rusia të tërheqë forcat nga Ukraina.

Me këtë rast, ai deklaroi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duhet ta dëgjojë këtë thirrje që vendi i tij, siç është shprehur Kastrati ”të mos sharrojë edhe më shumë”.

Madje, gjeneral Kastrati është deklaruar që sikur të ishte në vend të Putinit do të tërhiqej me një turp më të vogël.