Plaku i urtë dhe fisnik Halit Hyseni nga fshati Nerodime e Ulët të komunës së Ferizajt i cili kishte kaluar të tetëdhjetat nuk hezitoi të na i rrëfej kujtimet e tij me plot nostalgji për murin e vjetër rreth 200 vjeçar, të cilin e kishte ndërtuar Kamber Kamberi, daja i gjyshit të tij i cili quhej Adem Haxhidema, i njohur dhe i respektuar në këto anë.

“Edhe pse kam qenë i vogël, i mbaj mend fare mirë rrëfimet e gjyshit tim lidhur me arsyen e ndërtimit të këtij muri të lartë e të fortë i përbërë nga materiali i gurëve. Ky mur ishte ndërtuar për mbrojtje nga sulmet e pushtuesve të asaj kohe. Ndërtuesi kishte lënë frëngjitë për të futur tytën e pushkës që të mos lejonte të futeshin brenda grabitësit e huaj, të cilët shpesh herë kishin tentuar të hynin nëpër oborre e shtëpi për të marrë me dhunë pasuritë shqiptare. Në një rast gjyshi im Adem Haxhidema duke luftue kishte zmbraps me pushkë grabitësit bullgar, të cilët kishin ardhur si pushtues në trojet tona shqiptare. Në ato luftime gjyshit i kishte ndihmuar shumë ky mur dhe frëngjitë e tij”, rrëfente baca Halit.

Plaku i urtë na i tregoi edhe veprat tjera të punuara nga gjyshi i tij të vjetra rreth 150 vite, të cilat po i ruanin me fanatizëm nga gllabërimi i kohës. Aty ishte koshi i vjetër si dhe një çezme e mbështjellë me beton për të shuar etjen e anëtarëve të familjes. Ngjitur gjendej një govatë po ashtu e punuar nga betoni për të pirë bagëtia ujë. Adem Haxhidema qysh në atë kohë kishte sjellë ujin deri te çezma e oborrit me sistemin e rënies së lirë nga burimet e bjeshkëve të larta nëpërmes gypave të metalit. Adem Haxhidema kishte qenë një malësor i vërtet, një burrë trim, bujar dhe një mjeshtër i mprehtë.

Ky rrëfim lë gjurmë për modelin e shqiptarit me virtyte të larta njerëzore. Ndërsa objektet në fjalë janë një trashëgimi e jona kulturore, dritë për gjeneratat e reja që të shikojnë realitetet e së kaluarës sonë historike.

Reportazh nga Azem Osmani.

muri mbrojtes

11844084_904356706298966_387852449_n