Ndonëse në derë të objektit të komunës së Podujevës kishte dalur lista me orar për mbajtjën e intervistave për ata që kishin aplikuar për drejtorë të shkollave fillore e të mesme në Podujevë, ato nuk janë mbajtur pasiqë asnjë nga kandidatët që kanë konkuruar në konkursin e hapur nga Drejtoria e Arsimit në Podujevë, nuk kanë arritur të plotësojnë kriteret.

Drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Maloku, është pyetur se pse janë publikuar listat me orar të intervistave, e pastaj është anuluar konkursi, ndërsa ai është përgjigjur duke thënë se në bashkëpunim me MASHT – in kanë marrë vendim për anulimin e konkursit për shkak se sipas Udhëzuesit Administrativ kandidatët duhet të kenë të përfunduar me sukses një program të akredituar të kualifikimit për udhëheqje.

“Pas konsultave me përfaqësuesit e MASHT_it, në mungesë të numrit minimal të kandidatëve për pozitat drejtor dhe zëvendës drejtor të institucioneve edukativo-arsimore dhe aftësuese që i plotësojnë kriteret sipas Udhëzimit Administrativ nr. 8/2014, të datës 25/02/2014, neni 3 për kushtet që duhet t’i plotësojnë kandidatët për të marrë pjesë në konkurs (sidomos pika 2 të kenë të përfunduar me sukses një program të akredituar të kualifikimit profesional për udhëheqje, administrim ose menaxhim)” thuhet në njoftimin e lëshuar nga Drejtoria e Arsimit në Podujevë.

Në disa nga këto shkolla konkursi po dështon qe disa herë radhazi. Drejtoria e Arsimit kishte shpallur dy herë konkursin për drejtorë për shtatë shkolla, pasi kishte dështuar një herë në muajin janar 2014. Ato janë shkolla fillore “Zenel Hajdini” në Lupç të Poshtëm, “Naum Veqilharxhi” në Llapashticë e Epërme, “Luigj Kurakuqi” në Batllavë, “Kadri Kadriu” në Llaushë, “Afrimi e Fahriu” në Lluzhan, “Elfir Behrami” në Metehi dhe “Jetullah Islami” në Dyz. Ndërsa, konkursi ishte rishpallur në muajin mars 2014 për këto shkolla dhe ishte shpallur për herë të parë për shkollën fillore “Naim Frashëri” në Podujevë, “Rilindja” në Herticë, “Nuhi Gashi” në Bradash, “Sami Frashëri” në Zhiti, “Shefki Latifi” në Pollatë, “Ali Hadri” në Obrançë, “Eqrem Çabej” në Buricë, “Pavarësia” në Sibofc, “Dëshmorët e Kombit” në Podujevë, “Ali Ajeti” në Sfeçël, “Dituria” në Llapashticë të Poshtme, çerdhja e fëmijëve “Drita” në Podujevë, Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, Shkolla e mesme teknike “Fan S. Noli” në Podujevë dhe e njëjta shkollë edhe për zëvendësdrejtor. Kurse, sivjet në muajin maj, pos këtyre 21 institucioneve shkollore, konkursi është shpallur edhe për shkollën fillore “Hasan Ramadani” në Shajkofc, “Zahir Pajaziti” në Orllan, “Jahë Hasani ” në Bervanik dhe “Sheqë Mirovci” në Shtedim. Gjithsej 24 shkolla dhe çerdhja “Drita”./Llapi.info