Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është ndarë i kënaqur me fitoren e ekipit të tij ndaj Ulpianës, me rezultat të pastër 2-0, raporton Llapi.info.
Batatina ka thënë se në këtë ndeshje i ka pushuar 11 futbollistë, pasi të mërkurën do të ndeshet me Prishtinën në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
“Jam i kënaqur që sot kanë debutuar pesë futbollistë nga akademia e Llapit. Është prej prioriteteve të mia t’iu jap hapësirë. E kam ditur që do të jetë ndeshje e vështirë. Kam pushuar thuajse 11-të lojtarë, sepse unë brenda një ekipi kam dy ekip. Kemi futbollistë solid, mund të bëjmë ndryshime brenda skuadrës. Ata që luajtën, treguan cilësi”, ka thënë ai.
Batatina ka paralajmëruar sfidë të zjarrtë ndaj Prishtinës, ndeshje kjo që zhvillohet të mërkurën në Podujevë.
“Mendoj që ndeshja më e rëndësishme është të mërkurën në ‘Zahir Pajaziti’. Atje kemi publikë të zjarrtë dhe për herë të parë do të jetë stadiumi i mbushur. Do të jetë spektakël në tribuna dhe në fushë”, deklaroi Batatina.
Llapi të mërkurën zhvillon një nga ndeshjet kryesore ndaj Prishtinës, në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Kosovës. Për këtë, klubi nga Podujeva ka vendosur që hyrja të jetë falas për tifozët llapjanë. Ndeshja e parë kishte përfunduar 2-1 në të mirë të kryeqyteasve./Llapi.info