Ka përfunduar rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë, në ora 20:00. Vetëm një minut më pas u publikuan edhe rezultatet e projeksioneve të para për fituesit.
France24, ka raportuar se presidenti aktual Emmanuel Macron i ka fituar zgjedhjet e rundit të parë me 28.1 për qind të votave, ndërkohë që kandidatja tjetër për presidente e krahut të djathtë Marine Le Pen ka marrë 23.3 për qind të votave.
Sipas këtij rezultati, Macron e Le Pen do të dalin edhe një herë në zgjedhje me 24 prill, për betejën përfundimtare.
Mediat ndërkombëtarë sot kanë shkruarse kandidatja Marine Le Pen ishte duke lëkundur seriozisht gjasat e presidentit aktual Emmanuel Macron për t’u rizgjedhur. Mbetet për t’u parë në rundin e dytë nëse Macron do të arrijë ta ruajë epërsinë.
Presidenti i ri do të ketë fuqinë që të formësojë Francën dhe rolin e saj kyç në Evropë në pesë vjetët e ardhshëm. Edhe pse zgjedhjet janë lënë në hije nga lufta e Rusisë në Ukrainë, për shumicën e votuesve, çështja kryesore në këto zgjedhje është kostoja e jetesës.
Macron dhe Le Pen kanë pikëpamje shumë të ndryshme sa i përket politikës së jashtme dhe qasjes ndaj Rusisë, por edhe Bashkimit Evropian. Po ashtu ata kanë edhe pikëpamje të ndryshme lidhur me financat publike apo për investitorët e huaj.
Në këto zgjedhje kanë votuar 48.7 milionë francezë.