Gazeta Sinjali të dielën raportoi se si një person i dyshuar për vjedhje në shtëpinë e tij në fshatin Sferkë të Klinës arriti t’u ikë Policisë para syve. Gjithë ngjarja ndodhi pasi i njëjti e pranoi gjatë intervistimit se kishte denoncuar rrejshëm për vjedhjen e rëndë në shtëpinë e tij dhe vendosi të bashkëpunojë me Policinë. Nën përcjelljen e zyrtarëve policorë ai u nis për t’i marrë gjësendet e vjedhura, por u ‘avullua’ sa hap e mbyllë sytë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se i dyshuari që po kërkohet nga Policia për këtë rast është Bujar Morina, 27-vjeçar nga fshati Sferkë i Klinës.
Morina arriti të ikë në drejtim të Gjakovës, edhe pse ishte nën përcjelljen e Policisë.
Por si ndodhi rasti?
I riu që denoncoi rastin e vjedhjes në shtëpinë e tij u intervistua dje në stacionin policor në Klinë. Gjatë intervistimit nga Njësia e Hetimeve, i njëjti e pranoi se ka vjedhur stolitë e arit dhe paratë, por premtoi se të njëjtat do t’i kthente në stacion policor.
Ai u “dorëzua” para hetuesve policorë dhe vendosi të bashkëpunojë. Morinës iu kërkua që bashkë me Policinë të shkojë për t’i marrë gjësendet dhe paratë që i kishte vjedhur.
Nën përcjelljen e Njësisë së Hetimeve, ai u nis me veturën e tij “Audi A8” për në ‘vendin’ ku kishte fshehur paratë e stolitë e arit. Por ai vend nuk u zbulua pasi i njëjti arriti të ikë para syve të policëve, me ç’rast u largua në drejtim të Gjakovës.
Stacioni Policor në Klinë e ka shpallur të dyshuarin në kërkim dhe ka kërkuar ndihmë nga stacionet tjera policore, që nëse i njëjti ndalohet në ndonjë qytet tjetër, të kapet dhe të njoftohet baza e Policisë në Klinë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.