Kryetari i komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, është gjobitur me 500 euro nga Gjykata Themelore e Prishtinës-Dega në Podujevë.

Kjo për arsye se ai e kishte sulmuar fizikisht një qytetar në Qendren Kryesore të Mjekësisë Familjare.

E pala e dëmtuar në këtë rast, Ramadan Zymeri, tha në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova se nuk kishte pasur asnjë njohur që i pari i Podujevës ishte dënuar në këtë rast.

Zymeri tha se ka pritur që të ballafaqohej në gjyq me Bulliqin por që kjo nuk kishte ndodhur.

“Unë kam pritur seancë gjyqësore ku do të ballafaqohem me të akuzuarin drejtpërdrejti që ta di se pse ka ndodhur sulmi në ditën e ngjarjes në Qendren Kryesore të Mjekësisë Familjare. Ka qenë shokuese, ka qenë skandaloze që kryetari ta sulmojë njeriun fizikisht, pa asnjë arsye pa asnjë shkas”.

“Unë nuk e kam ditur as që është ngritur aktakuzë, as që është marrë vendimi. Veç kur e kam pranuar vendimin më 3 mars 2022”.