Kreu i Aleancës Kosova e re (AKR), Behgjet Pacolli, deklaroi se me 100 milionët e ndara nga Qeveria Kurti për qytetarët, do të ndërtoheshin mbi 40 fabrika, ku sipas tij, do të hapeshin mbi 4 mijë vende pune.

Ai shkroi në Facebook të enjten se me vendimin për ndarje të 100 eurove për disa kategori, Qeveria ka treguar se nuk ka vizion për ekonomi.

“Për një ditë shpërndahen 100 milionë euro dhe cila është vlera e kthimit. Asnjë i ri i punësuar, asnjë rritje ekonomike. Po të investoheshin këto para në sektorin privat, kjo do të garantonte rritje të qëndrueshme ekonomike”, shkroi deputeti Pacolli, derisa theksoi se me 40 fabrika, do të përfitonin mbi 20 mijë persona.

“Kryeministër, përvoja më ka mësuar shumëçka në jetë. Por, paqja sociale nuk blihet me para, por me krijimin e mundësive ‘mos jepni peshk, por mësoni si të peshkoni’. Mungesa e vizionit nuk mund të zëvendësohen me lëmoshë”.