Komuna e Podujevës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, ka parashikuar t’i ndajë rreth gjysmë milioni euro për rregullimin e infrastrukturës së brendshme dhe të jashtme në shkollat e kësaj komune, shkruan Llapi.info.

Sipas kontratës së publikuar nga Komuna, në këto punime parashihet të bëhet në pesë faza. E para ka të bëjë me furnizimin dhe vendosjen e dyerve, rregullimi i dyshemeve, rregullimi i çative, gëlqerosje e shkollave dhe rregullimi i nyejve sanitare.

“Vlera e parashikuar e kontratës: 404 218,00”, thuhet në njoftimin për kontratë të publikuar në faqen zyrtare komunale.

Në kontratë bëhet e ditur se takimi për tender do të hapet për 4 maj.

“Operatorët ekonomikë do të kenë të drejtë të dorëzojnë tenderin, kërkesën për pjesëmarrje dhe dokumentet e tjera të nevojshme apo dosjet të cilat u lejohen gjatë kryerjes së një aktiviteti të prokurimit në gjuhën Shqipe, Serbe dhe Angleze”, thuhet në njoftimin shtesë./Llapi.info