Sindikata e Policisë së Kosovës ka thënë se rastet e fundit të sulmeve në veri dhe të ndihmës që policët ia dhanë qytetarëve në rastin e zjarrit në Prishtinë të enjten duhet të bëjnë që shteti ta kthejë vëmendjen kah ta dhe të reflektojë me urgjencë. Sigurimi shëndetësor dhe jetësor dhe kushtet e punës janë kërkesat e policëve.
Të premten në mëngjes policë të Kosovës u sulmuan me granatë dore e kallashnikov, ka konfirmuar të premten ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që e ka quajtur sulm terrorist.
Sindikata ka thënë se raste si ai i sulmit në veri ka pasur edhe në të kaluarën dhe se kjo pasqyron punën me rrezik për shëndetin dhe jetën e zyrtarëve policorë. Policët po ashtu rrezikuan shëndetin e tyre duke ua shpëtuar jetën disa banorëve që gjendeshin brenda një banese që po digjej të enjten në lagjen “Tophane” të Prishtinës.
“Këto janë rastet më të freskëta që institucionet e Republikës së Kosovës ta kthejnë vëmendjen kah Policia e Kosovës dhe të reflektojnë me urgjencë që ta përmirësojnë mirëqenien dhe t’i plotësojnë kërkesat dhe nevojat për Policinë e Kosovës siç janë: Sigurimi shëndetësor dhe jetësor si dhe kushtet e punës”, thuhet në reagim.