Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, ka reaguar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në veri.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë i sheh me shqetësim të madh sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës. Aktet e tilla të shëmtuara, të drejtuara kundër jetës së policëve, detyra e të cilëve është të mbrojnë të gjithë njerëzit në Kosovë, janë krejtësisht të papranueshme. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të fokusojnë përpjekjet në identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhet në reagimin e OSBE-së në Facebook.

Për sulmet ndaj policëve në veri, kanë reaguar dhe e kanë dënuar edhe Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se të premten, më 15 prill, është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.

“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Ministri Sveçla ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.