Disa gabime që qytetarët i kanë bërë gjatë plotësimit të formularëve për legalizimin e ndërtimeve pa leje, ka bërë që nëntë komunave të Kosovës të mos u publikohet regjistri i këtyre ndërtimeve.

Pos Podujevës, e cila gjendet në listën e 30 komunave, por që brenda nuk përmban listë, janë edhe tetë komuna tjera që nuk janë përshirë në këtë regjistër. Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës së enjte pse nuk janë përfshirë edhe këto nëntë komuna në regjistrin e ndërtimeve pa leje, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shefi i Zyrës për informim në MMPH, Fadil Maxhuni, nëpërmjet telefonit ka thënë se është në pushim. Zyrtarët tjerë të së njëjës Zyrë kanë sugjeruar që të kontaktohet në Zyrën e sekretarit të përhershëm të Ministrisë. E në këtë të fundit kanë thënë që t’u dërgohen pyetjet në adresat elektronike të zyrtarëve për media e pastaj do të kthejnë përgjigje. Por, kjo nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Podujevës, Durim Salihu, ka thënë se shkak për mospërfshirjen e kësaj komune në këtë regjistër, janë disa gabime të qytetarëve gjatë aplikimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Salihu ka treguar se MMPH-ja u ka dhënë kohë shtesë që këto gabime të përmirësohen deri më 30 gusht.

“Ne së pari nuk patëm mundësi të stafit teknik për të protokolluar mbi 4.700 kërkesat që i kemi pasur. Tash deri në fund të muajit na ka lejuar qasje prapë Ministria disa komunave për të plotësuar disa të dhëna për vërejtjet që na janë dhënë. Gjatë plotësimit të formularëve për aplikim për legalizimin e ndërtimeve pa leje qytetarët i kanë bërë disa gabime dhe na janë kthyer për të përmirësuar”, ka thënë Durim Salihu, shkruan Koha Ditore.