Sot janë bërë 23 vjet nga masakra e fshatit Dyz të Podujevës, në të cilën u vranë dhjetëra civilë shqiptarë, njofton Llapi.info.

Masakra e Dyzit është njëra ndër masakrat më të mëdha në Llap dhe Gollak, ku forcat ushtarake dhe policore serbe pushkatuan dhe masakruan mbi 70 civilë shqiptarë.

Forcat pushtuese serbe në pamundësinë për t’u përballuar bombardimeve të forcave të NATO-së dhe luftës së UÇK-së, u vërsulën mbi popullatën civile, ku nuk kursyen as fëmijët, pleqtë dhe  gratë.

Në mëngjesin e asaj të diele, rreth orës 9:30, forcat paramilitare e ushtarake serbe e filluan bombardimin dhe granatimin e fshatit, më vonë edhe këmbësoria e forcave çetnike serbe depërtoi në fshat për të kryer këtë masakër, nw Dyz dhe Koliq.

Në nderim të të rënëve, sot me fillim nga ora 13:00 do të mbahet tubim përkujtimor – tek kompleksi i varrezave në fshatin Dyz. Po sot do të mbillen 227 pemë në “Parkun e Lirisë”.

Për homazhe do të jetë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca./Llapi.info