Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pala kosovare do të ulet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel për arritur marrëveshjen përfundimtare për targat vetëm me parimin e reciprocitetit.

Sipas Kurtit, më 21 prill është afati i fundit kur palët do të duhej të merreshin vesh për këtë marrëveshje.

“Më datë 21 prill është afati i fundit kur do të duhej që të merreshin vesh për targat, parimi i reciprocitetit do të jetë aty si thelb i çfarëdo zgjidhjeje”, ka thënë Kurti gjatë homazheve që bëri të hënën te shtatorja e komandantit Zahir Pajaziti.

Më 21 prill skadon afati i Marrëveshjes së përkohshme për targat e automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas marrëveshjes që afat ka 6 muaj, veturat në kufi duhet të mbulojnë simbolet shtetërore me letër ngjitëse, si kur futen në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

Kjo marrëveshje i pati dhënë fund bllokadës 12 ditore që serbët kishin bërë në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, të pakënaqur me reciprocitetin e vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Këtij reciprociteti, Kurti tha të hënën se do t’i përmbahen edhe në takimin e 21 prillit në Bruksel.

Kurti ka folur edhe për pretendimet e fundit nga Serbia se Kosova është furnizuar nga Mbretëria e Bashkuar me një sasi të madhe të armëve antitank të llojit “Javelin”, për çka ka thënë se deklaratat e Beogradit nuk duhet assesi të merren si fakte.

“Deklaratat që vijnë nga Beogradi nuk duhet kurrsesi t’i merrni si fakte. Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes është rritur për 52 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Hapat e mëtutjeshëm që duhet t’i merrni është të merrni informacione nga Ministria e Mbrojtjes, nga FSK-ja e kurrsesi nga Beogradi”, ka thënë Kurti.