Në pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, shoferët nga të dyja anët e kufirit po qarkullojnë duke përdorur letrat ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targat e makinave të tyre.
Letrat ngjitëse po vazhdojnë të përdoren për mbulimin e simboleve shtetërore në targat e makinave nga Kosova edhe Serbia edhe më 22 prill. Siç raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë, në pikëkalimet kufitare, shoferët vazhdojnë t’i sigurojnë këto letra ngjitëse nga zyrtarët kufitarë të Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkaq, në rrugën Zveçan-Jarinjë janë parë disa kontrolle policore.
Letrat ngjitëse po përdoren pavarësisht se marrëveshja e përkohshme për këtë gjë, e arritur në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, skadoi më 21 prill.
Kosova dhe Serbia nuk u pajtuan për ndonjë zgjidhje të përhershme për targat, teksa pas takimeve që u mbajtën më 21 prill, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për mosgatishmëri që të arrihej një ujdi për këtë çështje.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë vizituar mëngjesin e 22 prillit pikëkalimet kufitare në Merdare dhe Jarinjë dhe raportojnë se makinat po lëvizin me letra ngjitëse dhe qarkullimi i tyre po vijon normalisht.
Nasko Hodoviq, shofer i një automjeti transportues nga Novi Pazari i Serbisë, i cili mëngjesin e së premtes hyri në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se e kaloi kufirin e Kosovës, njësoj si ditët e mëhershme.
“Na kanë dhënë letra ngjitëse. Gjithçka po funksionon pa problem”, tha ai.
Një shofer i një kamioni nga Serbia duke vendosur letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa. Jarinjë, 22 prill 2022.
Një shofer i një kamioni nga Serbia duke vendosur letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa. Jarinjë, 22 prill 2022.
Të njëjtën e konfirmon edhe shoferi i një kamioni nga Rashka, Goran Popoviq.
Po ashtu, një shofer i një kamioni me targa të Kosovës, i prezantuar me emrin Fatos, e konfirmoi se e njëjta gjë po ndodh edhe gjatë kalimit të kufirit me Serbinë, ku shoferët po pajisen me letra ngjitëse.
Çfarë ndodhi në Bruksel më 21 prill?
Kosova dhe Serbia kishin afat që deri më 21 prill të arrinin një marrëveshje afatgjatë lidhur me çështjen e targave. Por, në takimet midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, me ndërmjetësimin e BE-së, palët nuk arritën marrëveshje.
Pas takimit trepalësh – që pasoi takimet dypalëshe me zyrtarët e BE-së – Bislimi deklaroi se Serbia nuk ishte e gatshme për një marrëveshje për targat.
“Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draf-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, tha Bislimi, duke iu referuar pikës së marrëveshjes së përkohshme ku kërkohej që grupi punues i të dyja shteteve, brenda gjashtë muajve të prezantonte gjetjet e një zgjidhjeje të përhershme për këtë çështje.
Akuzë për mosgatishmëri për marrëveshje kishte edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq.
Ai tha se tani do të vazhdojë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, pavarësisht se marrëveshja e përkohshme ka zbatuar.
Ndërkaq, Bislimi tha se nuk do të ndërmerret asnjë veprim i menjëhershëm dhe se Kosova do ta trajtojë lirinë e lëvizjes, njësoj sikurse Serbia.
Por, pavarësisht dështimit për të arritur marrëveshje deri në afatin e 21 prillit, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u bëri thirrje palëve që të vazhdojnë bisedimet për çështjen e targave.
“Ne presim që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet që mund të vënë në rrezik sigurinë në terren”, porositi Lajçak përmes një postimi në Twitter pas përfundimit të bisedimeve.
Pse u vendosën letrat ngjitëse?
Më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, vendosi masën e reciprocitetit për targat. Kjo masë nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës, shoferët e automjeteve me targa serbe, do të duhej të merrnin targa provuese, të vlefshme për 60 ditë dhe që kushtonin pesë euro.
Me një masë të ngjashme, shoferët me targa të Kosovës ishin përballur për vite të tëra kur qarkullonin në territorin e Serbisë.
Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 30 shtator u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjatë, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.