Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se kanë nisur punimet në disa projekte në qytet, shkruan Llapi.info.
Ai ka thënë se këto projekte do t’i sjellin gjallëri qytetit. Kështu ka thënë Bulliqi nëpërmjet një postimi në Facebook.
“Fillimi i punimeve në zbatimin e projekteve ka sjellur gjallëri të re në qytet. Ne vazhdojmë me punë dinamike, me qëllim të realizimit të projekteve në dobi të qytetarëve”, shkruan ai.
Në pamjet që ka publikuar i pari i Komunës shihet edhe fillimi i meremetimit të shkollave në Podujevë. Për këtë, Drejtoria e Arsimit, ka parashikuar t’i ndajë rreth gjysmë milioni euro për rregullimin e infrastrukturës së brendshme dhe të jashtme në shkollat e kësaj komune.
Sipas kontratës së publikuar nga Komuna, në këto punime parashihet të bëhet në pesë faza. E para ka të bëjë me furnizimin dhe vendosjen e dyerve, rregullimi i dyshemeve, rregullimi i çative, gëlqerosje e shkollave dhe rregullimi i nyejve sanitare.
“Vlera e parashikuar e kontratës: 404 218,00”, thuhet në njoftimin për kontratë të publikuar në faqen zyrtare komunale./Llapi.info