Llapi ka shënuar fitoren e katërt rresht në Superligën e Kosovës, duke mposhtur në udhëtim Malishevën me rezultat 2-0, raporton Llapi.info.
Mysafirët nga “Zahir Pajaziti” dominuan në pjesën e parë, duke lëshuar disa raste shënimi. Më të volitshmin e pati Valmir Veliu në minutën e 10’, por që goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit.
Me rezultat të barabartë 0-0 u mbyll pjesa e parë në Malishevë.
Në të dytën, ishin llapjanët që kaluan në epërsi. Arbnor Ramadani shënoi një supergol nga distanca për të zhbllokuar rezultatin në 0-1, kur po zhvillohej minuta e 56′ e ndeshjes.
Për epilogun përfundimtar 0-2 u përkujdes Adem Maliqi, i cili realizoi në fund të ndeshjes, për t’ia dhuruar tri pikë të plota skuadrës nga Podujeva.
Me këtë fitore, Llapi arrin në kuotën e 53 pikëve dhe radhitet në pozitën e katërt, por tani vetëm dy pikë larg Dritës, që ndodhet në vendin e dytë.
Në xhiron e radhës, Llapi zhvillon derbin ndaj Ballkanit në stadiumin e qytetit të Podujevës, “Zahir Pajaziti”./Llapi.info