Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pas barazimit me Ballkanin, ka thënë se ekipi i tij ka treguar lojë të mirë në këtë derbi, derisa ka shtuar se Llapi e ka merituar edhe fitoren, shkruan Llapi.info.

Për medie, Batatina ka “uruar”, por edhe ka thumbuar ekipin nga Theranda për triumfin në këtë edicion, pasi që siç ka deklaruar ai, Llapi mund të ishte kampion nëse, sipas tij, nuk do t’i bënte gabimet në fillim të kampionatit.

Trajneri i ekipit nga Podujeva s’i ka kursyer as kritikat ndaj gjyqtarëve, duke akuzuar ata se nuk shikuan VAR-in në disa raste diskutabile.

“Mendoj që bën gabimin në pjesën e parë, pranuam gol herët dhe nuk duhet bërë një gabim i tillë. Pjesa e parë nuk ishte e jona, por në pjesën e dytë e kemi dominuar kundërshtarin në çdo aspekt, po te ishim më të vëmendshëm mund të fitonim, por treguam karakter, lojë dhe luftë. Llapi do t’i marrë ndeshjet me vazhdimësi, Ballkanit i uroj titullin. Arbitri nuk u afrua asnjëherë tek VAR’i, kanë qenë dy prekje me dorë. Edhe tek goli i Ballkanit nuk është shikuar VAR’i. I treguam Ballkanit që edhe nëse bëhesh kampion, nuk mund ta mposhtësh Llapin. Ne kemi gabuar pse Ballkani është kampion”, ka thënë Batatina.

Me këtë barazim, Llapi tash i ka 54 pikë dhe radhitet në pozitën e katërt, ndërkohë që Ballkani kryeson në tabelë me 70 pikë.

Në xhiron e radhës, Llapi i shkon Drenicës, derisa Ballkani pret në shtëpi Malishevën./Llapi.info