Llapi ka pësuar humbjen e parë në pesë ndeshjet e fundit në Superligën e Kosovës, duke u mposhtur si mysafir i Drenicës, raporton Llapi.info.

Pjesa e parë e zhvilluar në “Bajram Aliu” të Skenderajt, solli raste të shumta shënimi. Fillimisht Arbnor Ramdani i Llapit rrezikoi portën kundërshtare qysh në minutën e 3’, por goditjen e tij e priti portieri Shala.

Nikoqirët rastin më të mirë në këtë pjesë lojë e patën në minutën e 24’, por traversa shpëtoi Llapin pas plasimit të goditjes nga Armend Abazi i drenicasve.

Kur po zhvillohej minuta e 38’, gjyqtari kryesor i ndeshjes, Genc Nuza, ndërpreu ndeshjen për disa minuta, për të urdhëruar largimin nga tribuna të tifozëve të Drenicës, të cilët hidhnin mjete piroteknike në fushë.

Me rezultatin të barabartë 0-0 u mbyll pjesa e parë në Skenderaj.

Në të dytën ishin nikoqirët që patën dominimin. Pas disa rasteve të lëshuara, Drenica gjeti golin e fitores në minutën e 78’ me anë të Besfort Dervishaj, për të zhbllokuar rezultatin në 1-0, rezultat me të cilin edhe u mbyll kjo ndeshje.

Me këtë humbje, Llapi tash i ka 54 pikë dhe radhitet në pozitën e katërt, ndërkohë që Drenica ka 43 sosh në vendin e tetë./Llapi.info