Komuna e Podujevës ka konkurruar me tete projekte në Konferencën e Donatorëve, e cila do të mbahet më 25 mars 2015 në Prishtinë.
Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, në një takim me përfaqësueset e Agjencionit Zhvillimor Rajonal, Arzana Mulollin dhe Flakrina Osmanin – Menaxhere të Projekteve, ka biseduar për projektet me të cilat ka konkurruar Komuna e Podujevës për Konferencën e Donatorëve për Kosovën.
Drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Avni Fetahu, tha se Komuna e Podujevës konkurron me tetë projekte në këtë konferencë.
Projektet me të cilat ka konkurruar janë nga sektorë të ndrushëm.
“Projektet e përgatitura janë në sektorë të ndryshëm që kanë të bëjnë me investime në bujqësi dhe infrastrukturë. Secili nga projektet, me të cilat kemi konkurruar është i rëndësishëm për komunën tonë, por mund të thuhet se prioritet është impianti për trajtimin e ujërave të zeza, realizim i të cilit ka një kosto prej 15 milionë euro”, ka thënë Fetahu.
Menaxheret e projekteve në AZHR, Arzana Mulolli dhe Flakrina Osmani u shprehën të kënaqura me projektet e përgatitura nga Komuna e Podujevës, me të cilat do të konkurrojë në Konferencën e Donatorëve. Ato u shprehën optimiste se Podujeva do të përfitojë financimin e ndonjërit nga projektet me të cilat ka konkurruar.
Në takim ishin të pranishëm edhe zyrtarë të tjerë nga Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik./llapi.info