Një fushatë vetëdijesuese është zhvilluar sot nga disa qytetarë llapjanë në rrugën Prishtinë – Podujevë, shkruan Llapi.info.

Në këtë rrugë nacionale që lidh Llapin me kryeqytetin janë vendosur disa pankarta në vend të shenjave, këto të fundit që mungojnë në këtë rrugë.

“Këtu rrezikohet jeta! Vendos shenjat”. “Shtatë vite punime, shumë aksidente”. “Edhe sa veta duhet të vdesin”. “Kujdes puseta”. “Ku janë vendkalimet për këmbësorë”, janë disa prej pankartave që janë vendosur në rrugën Prishtinë – Podujevë.

Pamjet janë publikuar nga njohësi i çështjeve të komunikacionit dhe profesori Faton Bunjaku.

Ky aksion është zhvilluar për shkak të vonesave në kryerjen e punimeve në këtë rrugë. Përkundër që të njëjtat kanë nisur për më shumë se shtatë vjet, punimet nuk janë për së afërmi të kryera.

Gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri Kurti dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë premtuar se kjo rrugë do të përfundojë gjatë vitit 2022./Llapi.info