Llapi e ka mbyllur me humbje edicionin 2021/22 në Superligën e Kosovës në futboll, duke u mposhtur në shtëpi nga Prishtina me rezultat 1-2, raporton Llapi.info.
Pjesa e parë e zhvilluar në “Zahir Pajaziti” të Podujevës nuk solli ndonjë gol, përkundër që të dyja skuadrat patën raste shënimi.
Për dallim nga e para, në të dytën portat u tundën tre herë. Fillimisht Llapi zhbllokoi rezultatin në 1-0 me anë të Valmir Veliut, i cili u tregua i saktë nga penaltia në minutën e (51’).
Mysafirët nga kryeqyteti u rikthyen menjëherë në lojë, duke barazuar shifrat 1-1 në minutën e (59’), me anë të Guathier Mankenda. I njëjti lojtar përmbysi gjithçka në Podujevë, ku shënoi golin e dytë për prishtinasit në minutën e (62’). Me rezultatin 1-2 u mbyll kjo ndeshje.
Me këtë humbje, e cila është e katërta rresht, Llapi e mbyll këtë edicion në vendin e katërt me 54 pikë të tubuara, ndërkohë që Prishtina ka 51 pikë në vendin e pestë.
Llapi tashmë ka siguruar garat evropiane. Skuadra nga Podujeva tash e ka edhe finalen kundër Dritës, e cila zhvillohet javën tjetër në “Fadil Vokrri”./Llapi.info