Sot përfunduan punimet e Grupit Punues për pakon e ligjeve anti-korrupsion, respektivisht Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Ligjit për Deklarimin, Kontrollin, Prejardhjen e Pasurisë dhe Dhurata.

Kryesuesi i Grupit Punues, Besnik Tahiri i AAK-së thotë se me Ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë, risitë më të theksuara janë:

– Deklarimi do të bëhet në forme elektronike, duke lehtësuar dukshëm deklarimin dhe kontrollin;

– Asambleistët komunalë nuk kanë detyrimin për të deklaruar pasurinë;

– Do të ketë kontroll të plotë të deklarimeve periodikisht, varësisht prej pozitës së zyrtarit publik;

– Do të rritet transparenca, me ç‘rast deklarimet e të gjitha subjekteve deklaruese do të bëhen publike;

– Agjencia vishet me kompetenca gjobëvënëse, me theks në provimin e qëllimit të zyrtarit për të mos deklaruar apo për të deklaruar rrejshëm, si element i veprës penale.