Kryeministri Albin Kurti është takuar me homologun e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Kurti e uroi Abazoviqin për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.

Shefi i qeverisë kosovare e falënderoi Abazoviqin për bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës dhe Malit të Zi në shumë fusha.

Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, Abazoviq tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët.

Kurti dhe Abazoviq folën për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet.

U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve.

U bisedua edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së Kosovës me atë të Malit të Zi, si dhe për organizimin e një mbledhje G2G ndërmjet të dy qeverive brenda këtij viti.