Sot janë bërë 23 vjet nga rënia e dëshmorit të kombit Mentor Retkoceri nga fshati Lupç i Podujevës, shkruan Llapi.info.

Më 24 maj 1999, Mentori me shokë u nis drejt fshatit kufitar, Sylevicë, ku u zhvilluan luftime të ashpra ndërmjet forcash të parabarta, me ç’rast Mentor Ratkoceri ra dëshmor i atdheut. Trupi i tij u tërhoq nga bashkëluftëtarët dhe më 27 maj, u varros pranë një qershie, aty ku ra.

Pas përfundimit të luftës, më 23 korrik 1999, u bë rivarrimi i trupit të Mentorit, në fshatin e tij të lindjes, Lupç i Poshtëm

“Tori” ishte pjesëmarrës aktiv, sikurse edhe në protestat e mëvonshme popullore kundër shtypjes serbe. Kishte vënë kontakte edhe me organizimet e fshehta kombëtare, përmes kushëririt të vet, Baton Retkoceri, pjesëtar i LKÇK-ës, grupi i të cilit u arrestua gjatë vitit 1997.

Kontaktet e para me UÇK-në, Mentori i mori në mars të vitit 1998. Mentori furnizoi UÇK-në me armatim nga Kavaja për në Koshare, e nga Kosova Lindore për në ZOLL.

Në vitin 1998 filloi stërvitjet ushtarake për dy muaj rresht, së pari në Qerret të Kavajës e më pas në kazermat ushtarake të Kalimashit, duke vazhduar më pas më stërvitjen e disa ushtarëve të tjerë në Zonën Operative të Llapit. Mentori gjatë ushtrimeve në Shqipëri ishte edhe pjesëtar i Gardës Kombëtare “Skënderbeu”. Në ZOLL ishte skuadërkomandant i Njësitit për Ndërhyrje të Shpejtë “Komando 106”.

Si pjesëtar i UÇK-së, mori pjesë dhe u shqua në shumë beteja, si në kufirin Shqiptar – Shqiptar, pastaj në Konufeshc, Dobratin, Bradash, në kufirin verior të kufizimit me Serbinë, në Llapashticë, Katunishtë, Buricë etj. Kah fundi i janarit 1999, Mentori me njësitin e tij u vendos në Majac ku u zhvilluan luftime të ashpra me forcat serbe.

Mentori rrjedh nga një familje me traditë atdhetare, e cila ia ka dhënë UÇK-së 17 luftëtarë. Në fshatin e lindjes, në Lupç të Poshtëm, nga familjarët po ashtu është ngritur përmendorja e Mentorit.

Me rastin e 23 vjetorit të rënies së tij, sot janë bërë homazhe pranë varrit./Llapi.info