Qëndrim Januzi, i dyshuari kryesor për vrasjen e Gazmend Hysenit, në natën kritike është plagosur nga një zyrtar policor me rroba civile. Sipas avokatit të tij, i dyshuari Januzi ka pësuar lëndime trupore kryesisht në nofull. Lidhur me përdorimin e armës nga ana e zyrtarit policor, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka ndërmarrë disa veprime hetimore.
Inspektorati Policor i Kosovës thekson se në bashkëpunim me prokurorin kompetent do të ndërmerren edhe veprime tjera hetimore të cilat pritet të vërtetojnë se a janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës zyrtare.
IPK thotë se me t’u informuar për rastin e vrasjes dhe plagosjes të shtunën në Ferizaj, hetuesit e IPK-së janë dalë në vendin e ngjarjes, nga aty është bërë identifikimi i disa kamerave të sigurisë të cilat kanë mundur të mbulojnë me pamje vendin ku ka ndodhur incidenti.
“Më 28 maj 2022 pas mesnatës, hetuesit e IPK-së janë njoftuar për rastin në fjalë ku sipas informatave fillestare në Ferizaj një zyrtar policor kishte përdor armën e tij zyrtare duke gjuajtur në drejtim të një personi që dyshohet të ketë qenë i armatosur dhe i cili dyshohet për vrasje që kishte ndodhur pak më herët në lokacionin e njëjtë. Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së janë dalë në vendin e ngjarjes ku në koordinim me ekipet tjera reaguese policore dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë në Ferizaj kanë ndërmarrë disa veprime hetimore duke përfshirë këtu përveç tjerave edhe identifikimin e disa kamerave të sigurisë të cilat kanë mundur të mbulojnë me pamje vendin ku ka ndodhur incidenti. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore në koordinim me prokurorin komptetent duke përshirë edhe rezultatet e ekzaminimeve të ndryshme forensike, mjeko ligjore, ballistike etj. Për të vërtetuar se a janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës zyrtare dhe për të ndriçuar të gjitha rrethanat lidhur me rastin”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dhënë Gazetës Express.
Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Qëndrim Januzit, si i dyshuar kryesor për vrasjen e 30-vjeçarit Gazmend Hyseni. Sipas mbrojtjes së Januzit, avokatit Kastriot Zenuni seanca për caktimin e paraburgimit ndaj tij është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), aty ku po trajtohet i dyshuari.
Avokati Zenuni tha se i dyshuari ka qenë në gjendje të përgjigjej vetëm me “po” ose “jo”.
“Sipas mjekut ka qenë në gjendje me u përgjigj vetëm me po ose jo. Nuk e kanë marrë në pytje edhe gjatë. Seanca u mbajt brenda objektit të QKUK-së”, tha avokati Zenuni të dielën për Gazetën Express.
Ai shtoi se Qëndrim Januzi ka lëndime kryesisht në nofull.
Qëndrim Januzi, që në publik njihet si vëllai i reperit Buta, po mbahet në paraburgim nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt për caktimin e paraburgimit ndaj Januzit, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se “ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 28 maj 2022, në Ferizaj, me dashje dhe përgatitje paraprake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin”. Gjithashtu gjyqtari ka vlerësuar se në atë mënyrë që ka vë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë.
Qëndrim Januzi dyshohet se shtiu me armë zjarri shtatë herë në drejtim të Gazmend Hysenit.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 28 maj 2022, në Ferizaj, me dashje dhe përgatitje paraprake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.H., në atë mënyrë që ka vë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, me ç ‘rast që pas një mosmarrëveshje të mëhershme me të takuar tani të ndjerin, ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri shtatë herë, ku si pasoj e të shtënave nga plagët e marra ndërron jetë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.