Disa komuna të Kosovës sot janë përballur me mot të lig, e njëra ndër to është edhe Podujeva.

Reshjet e mëdha të shiut e breshrit dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëme edhe në kulturat bujqësore.

Bujkut Fahrudin Mahmuti nga fshati Sibovc i Podujevës, moti i lig i shkaktoi dëme prej 10 mijë eurosh.

Ai në një lidhje direkte në “Edicionin Special” në Klan Kosova tha se ka pësuar dëme në dhjetëra ari tokë që i ka të mbjella me sera.

“Kemi pësuar dëme në pasditen e sotme, ku filloi breshëri, ishte stuhi e madhe e cila i dëmtoi serat dhe filluan disa rrjedhje nga shiu, megjithatë është një dëm minimal duke pasur parasysh furtunën që pasoi pasditen e sotme. Ishte një dëm shumë i madh në kulturat bujqësore. Duke pasur parasysh se ishin vetëm fillimet e mbjelljes, dëmi tek unë si fermer ka qenë diku rreth 10 mijë euro”, është shprehur ai.

E dhimbshme; Breshëri dëmton të mbjellurat e bujkut të njohur nga Podujeva (Video)

E për “Edicionin Special” ka folur edhe Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Podujevës, Bahri Selimi i cili tha se nesër do të nesër do të fillojnë me identifikimin e dëmeve, përcjell Klankosova.tv.

“Fillimisht i kemi inspektuar pozitat e rrezikshme, ku disa prej tyre janë lumenjtë që na kërkojnë vërshime, kemi vërtetu që janë jashtë rrezikut për të dal nga shtrati dhe më pas kemi kuptuar se në komunën tonë ka pasur më shumë dëme në bujqësi”.

“Që nesër ne do të fillojmë me identifikimin e dëmeve dhe do të vazhdojmë me procedurat e radhës, do të jemi në komunikim edhe me ministrinë. Besoj që edhe në bazë të subvencioneve, besoj që do të arrijnë t’i mbulojmë këto dëme, sepse në bazë të statistikave të deri më tanishme nuk ka dëme të papërballueshme”, u shpreh ai.