Buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2023 do të jetë më i madh, krahasuar me sivjet, shkruan Llapi.info.

Sipas drejtorit për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, buxheti i Podujevës për vitin 2023 do të jetë mbi 27 milionë euro – 4 milionë më shumë se tani.

Kështu ka deklaruar Osmani gjatë takimeve që ka mbajtur me qytetarë të zonave të ndryshme të Podujevës, në kuadër të dëgjimit publik për kornizën afatmesme buxhetore 2023/25.

“Përgjatë këtyre dëgjimeve drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, tha se të gjithë qytetarët e Podujevës kanë mundësinë të paraqesin nevojat dhe prioritetet e tyre për investime në secilin lokalitet që ata i përkasin, me qëllim që në planifikimet buxhetore 2023-2025 të hyjnë projektet me interes të qytetarëve. Drejtori Osmani tha se Komuna e Podujevës në vitin 2023 do të ketë një buxhet prej mbi 27 milionë euro, afërsisht 4 milionë euro rritje, rreth 2 milionë prej tyre më shumë në investime kapitale, ku në këtë periudhë nuk janë të definuara saktë limitetet buxhetore, por për gjatë hartimit të kësaj Kornize Buxhetore  bazuar në prioritetet e qytetarëve, qoftë për investime kapitale, mallra dhe shërbime si dhe  subvencione, rrjedhimisht duke marrë kërkesat e qytetarëve do të ndërtohet edhe ky koncept dokument”, thuhet në kumtesën komunale.

Sipas njoftimit, dëgjimet publike janë mbajtur në fshatrat; Kërpimeh, Lluzhan, Orllan, në shkolla të fshatrave tjera si dhe në qytet – ku në këtë të fundit u diskutua për sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës.

“Gjatë dëgjimeve publike qytetarët kanë bërë propozime të ndryshme për investime konkrete qoftë në infrastrukturë, shërbime dhe në subvencione, ku drejtori Osmani dhe anëtarët tjerë të ekzekutivit regjistruan kërkesat e tyre për shqyrtim”, thuhet tutje.

Ndryshe, buxheti i vitit 2022 duke u barazuar në limitet buxhetore të qarkores së dytë buxhetore të lëshuar nga Ministria e Financave për komunën e Podujevës është 23,449,521.00 euro./Llapi.info