Çdo vit u teprojnë para, ndërkohë që u mbesin borxh operatorëve të ndryshëm. E arsyeja që japin zyrtarët komunalë për këto borxhe është “për mungesë të mjeteve”.

Katër komuna të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq e Graçanicë) e kanë përmbyllur vitin 2014 me borxhe ndaj operatorëve ekonomikë dhe po ashtu edhe me mosrealizim të mjeteve (borxh ndaj komunave). Mjetet e kthyera në para për këto borxhe të dyanshme bëjnë disa miliona euro.

Për këto borxhe kanë folur vetëm komunarët e Obiliqit dhe ata të Graçanicës, ndërsa kanë heshtur ata të Podujevës e Fushë-Kosovës. Megjithatë Auditori i Përgjithshëm i ka evidencuar disa nga borxhet për këto komuna.

Komunarët e Podujevës gjatë vitit 2014 u kanë mbetur borxh më shumë se 200 mijë euro furnizuesve të ndryshëm. Ndërsa borxhi ndaj komunës vetëm për tatimin në pronë është rreth 2 milionë e 700 mijë euro,shkruan sot Koha Ditore.

Sikur Podujeva edhe Fushë-Kosova nuk ka arritur të inkasojë më shumë se 2 milionë euro të bartura nga viti në vit për këtë borxh.
“Lista e debitorëve ndaj komunës, sipas të dhënave nga komuna, përbëjnë shumën e llogarive të arkëtuara në vlerë prej 3,342,387€.

Edhe Komuna e Obiliqit e ka përmbyllur vitin 2014 me borxhe ndaj të tjerëve dhe po ashtu me mosarkëtim të mjeteve nga tatimet. Drejtoresha për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim, Zarife Behluli, ka thënë se sa u përket obligimeve komunale, ato janë në vlerë prej 192 mijë e 839 eurosh.

“Borxhet e viteve të kaluara në emër të tatimit në biznes janë 36,000.00 €, kurse të planifikuara për vitin 2015 janë inkasuar 70 për qind e mjeteve, e që këto mjete mblidhen deri në fund të vitit.

Komunarët e Graçanicës nuk kanë arritur deri tash të inkasojnë më shumë se 1 milion e gjysmë euro nga bizneset e qytetarët e tyre. Drejtori i Financave, Ekonomisë dhe Zhvillimit, Slavisa Niçiq, nëpërmjet zyrës për informim ka thënë se po ashtu borxhi që qytetarët dhe bizneset e kanë ndaj Komunës së Graçanicës deri në fund të vitit 2014 është 1 milion e 573 mijë e 190 euro. Ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar ky borxh është rritur për 198 mijë e 590 euro./KohaDitore