Për të minimizuar rrezikun nga vërshimet dhe dëmeve që shkaktohen në bujqësi nga dalja e lumenjëve nga shtrati, Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim (DSHPMSH) në Komunën e Podujevës ka filluar rregullimin dhe pastrimin e shtretërve të lumenjëve.

Faik Muçiqi, drejtor i DSHPMSH në Podujevë, ka thënë se punimet në pastrimin dhe zgjerimin e shtretërve të lumenjve janë duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë dhe pret finalizim e tyre me kohë.

“Janë duke u zhvilluar punime në zgjerimin dhe pastrimin shtratit të lumit Batllava, ku nga vërshimet çdo vit janë shkaktuar dëme kryesisht në pronat bujqësore, pastaj lumin në Bellopojë, Tërnavë, Halabak, nga rruga Lluzhan – Orllan, me gjatësi 19.3 km”, ka thënë Muçiqi, njofton Zyra për Informim në Podujevë, përcjell Llapi.info.

Muçiqi ka njoftuar se krahas realizimit të këtyre projekteve janë duke u zhvilluar procedurat e tenderimit edhe për rregullimin dhe pastrimin e shtratit të lumit nga fshati Shtedim deri në Miroc në një gjatësi 3.3 km dhe nga Shtedimi në fshatin Dumnicë në gjatësi 3.5 km.

Punët në pastrimin dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve në këto fshatra është duke i kryer kompania “Bini”./Llapi.info

11888115_1616612961921741_4532287663447278641_n