Gaziantep ka negociuar plot një vit për të siguruar shërbimet e mesfushorit Valmir Veliu dhe u deshtë të paguanin 180 mijë euro plus një karton prej 15 për qind në rast të shitjes në të ardhmen, këtë e konfirmoi presidenti i Llapit – Beqir Batatina për Gazetën Nacionale.
Gjatë ditës së diele Gaziantep prezantoi Veliun, futbollist i cili nënshkroi kontratë për tre vitet në vijim.
“Klubi i futbollit Gaziantep ka arritur marrëveshje me klubin e Llapi FC dhe lojtarin për transferimin e kandidatit për yllin e ri kosovar, Valmir Veliu. 22-vjeçari i Kombëtares do të djersitet për suksesin e stemës sonë kuqezi për tre sezonet e ardhshme”, shkruhej në komunikatën e klubit turk para disa orëve.
Lidhur me kalimin e Veliut në Superligën e Turqisë, për Gazetën Nacionale ka folur presidenti i Llapit, Beqir Batatina. Ai konfirmoi se përpos klubit të lartpërmendur për shërbimet e lojtarit ishin të interesuara edhe tre klube të tjera, derisa negociatat zgjatën për plot një vit.
“Po ka pasur edhe tre klube tjera të cilat kanë qenë të interesuara për Valmirin, por pas bisedës që kishim me të (Veliun) vendosem ta transferojmë këtu pasi ishte skuadra që e donte me patjetër atë. Negociatat zgjatën rreth një vit”.
I pyetur për çmimin, Batatina haptas tregoi se kartoni i sulmuesit ishte 180 mijë euro, derisa edhe vendosen një karton prej 15 për qind, në rast të shitjes në të ardhmen e afërt.
“Po, është shumë e vërtet që Valmir Veliu është shitur për 180 mijë euro plus 15 për qind e kartonit është vendosur aty”, deklaroi shkurtimisht ai.
Me largimin e Veliut, atij iu pamundësia që të ndihmojë skuadrën kosovare në garat evropiane. Batatina shton se mungesa e tij do të jetë shumë e madhe, pasi nuk ka lojtar si ai në Superligën e Kosovës, por e lejuan të largohet në mënyrë që të mos ia humbin shansin.
“Po, Veliu do të na mungojë shumë dhe për momentin nuk ka lojtarë në Superligën e Kosovës që e zëvendëson, por unë bashkë me trajnerin vendosem ta dërgojmë Veliun për arsye që të mos ia humbim shansin. Ne si klub na ka lënë shumë keq për garat të Evropës, por menduam për fatin e tij që të arrijë qëllimin që e kishte me trajnerin”.
Në fund, presidenti i klubit llapjan falënderoi trajnerin Tahir Batatina që po i sjell talenta klubit, ndërsa premton se futbollisti i radhës, i cili do ta prek Evropën është Ilir Krasniqi.
“Unë dua ta falënderoj trajnerin, i cili sjellë në Llap talenta dhe i dërgon në garat evropiane. Talenti tjetër i cili do ta shijon Evropën së shpejti është Ilir Krasniqi”, nënvizoi ai për Nacionalen.
Për tre vite sa ishte pjesë e Llapit, Valmir Veliu zhvilloi 119 araqitje në të gjitha garat duke kontribuar me 22 gola dhe 32 asistime.
Ai në total zhvilloi 7 mijë e 645 minuta, gjë që padyshim e bën futbollistin më të “preferuar” të Batatinës.