Temperaturat e larta të cilat po mbizotërojnë ditëve te fundit kanë ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve në Qendren Emergjente – Podujevë.

Këtë e ka bërë të ditur për Llapi.info, mjeku kujdestar në Qendren Emergjente Hekuran Dibrani, i cili ka deklaruar se numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë është rreth 200 në 24 orët e fundit.

“Rastet më të shpeshta të cilat kërkojnë trajtim në Emergjencë janë rastet me diarre, vjellje, dhimbje të fytit, rastet nga hipertensioni, raste nga pickimi i insekteve gjë që po shkakton alergji si dhe rasteve të lëndimeve’’ ka thënë Dibrani.

Ai më tej ka thënë se pothuajse shumica e rasteve trajtohen në Qendren Emergjente  Podujevë, por ka edhe raste emergjente të cilat dërgohen në Q.K.U.K Prishtinë, për shkak të pamundësisë të ofrimit të kushteve për këto raste emergjente.

“Ka raste të lëndimeve të rënda apo raste tjera emergjente të cilat dërgohen në Q.K.U.K Prishtinë, sepse e kemi të pamundur ofrimin e kushteve për raste të tilla, por gjendja tashmë ka filluar të përmirësohet dhe ne po mundohemi që t’ju ofrojmë ndihmë të gjithë atyre që drejtohen tek ne” ka shtuar mjeku kujdestar, Hekuran Dibrani.

Përveç mungesës së hapsirës, Qendra Emergjente në Podujevë po përballej edhe me mungesë të stafit, ku gjatë një ndërrimi në këtë qendër ka pasur vetëm një mjek kujdestar, por tashmë janë marrë masa në këtë drejtim.

“Gjatë kohës kur është fluksi më i madh i pacientëve, si përforcim në Qendren Emergjente në Podujevë po ofron shërbime edhe një mjek tjetër kujdestar i cili punon që nga ora 10:00 deri në orën 17:00” ka thënë Dibrani./Llapi.info