Muhabi Osmani – babai i të ndjerës, Marigona Osmani, e ka përshkruar këtë të fundit si një vajzë të qetë, të urtë e të sjellshme.
Sipas tij, Marigona i takonte artit, sepse siç thotë babai i saj, ajo pasion e kishte artin, aktrimin.
“Ajo ka qenë vajza ime e parë, intelegjente dhe e dashur për familje por na ndodhi siç na ndodhi. Ajo është rritur në kushte të mira sepse kemi një biznes familjar, ka qenë e urtë, nuk ka sjellë probleme, ka qenë nxënëse e shkëlqyeshme. Kishte shoqe në lagje, shkollë, ka qenë më së shumti në familje një vajzë e cila ka dëgjuar, nuk na ka kundërshtuar, ka qenë vajzë e qetë, e urtë, e sjellshme”.
I ftuar në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, ku po diksutohet për vrasjen e Marigonës, Muhabi Osmani, ka treguar rrjedhën e lidhjes së vajzës së tij me Dardan Krivaçën.
Takimin e parë me Krivaçën, Osmani thotë se e ka zhvilluar në Shqipëri, atje ku Dardani e Marigona ishin larguar.
Gjatë këtij takimi, Muhabi Osmanit, Krivaça i ishte dukur i urtë dhe i sjellshëm.
Por, nuk doli të ishte kështu.
“Ai kishte një sjellje të qetë, i urtë, komunikonte mirë, nuk na linte të dyshojmë diçka, u duk njeri i mirë”, tha Osmani.