Stafin mjekësor në objektet shëndetësore në Podujevë tash e tutje do t’i ruajë Policia e Kosovës, shkruan Llapi.info.

Ky vendim është marrë nga Komuna e Podujevës pas marrëveshjes së nënshkruar me stacionin policor në këtë komunë – derisa i njëjti është miratuar pas rasteve të sulmeve ndaj mantelbardhëve.

Kështu ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, i cili ka bërë të ditur se policët do të jenë prezentë në QKMF dhe Emergjencë.

“Pas shfaqjes së disa rasteve të sulmeve fizike dhe verbale ndaj personelit shëndetësor në Emergjencën e Podujevës, si institucione komunale me qëllim të parandalimit të rasteve të tjera dhe ofrimit të sigurisë për stafin mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.  Kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi  mes Stacionin Policor në Podujevë që nga një polic të jetë i pranishëm gjatë dy orareve të plota të punës në QKMF nga ora 07:00 – deri në ora 23:00, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë në QKMF dhe Emergjencë”, është shprehur Zhitia.

Më tej, Zhitia ka deklaruar se Komuna e Podujevës do t’i përsipër pagesën e stafit mjekësor, kurse stacioni policor bën planifikimin dhe organizimin e stafit që do të ruajnë në QKMF dhe Emergjencë.

Duhet theksuar se kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet kur mjekët janë sulmuar fizikisht nga pacientët, por edhe përcjellësit e tyre, nëpër institucione shëndetësore në Podujevë.

Rasti i fundit kishte ndodhur në muajin mars të këtij viti, kur mjeku ishte sulmuar nga një person, duke i shkaktuar edhe lëndime trupore.

Ndryshe nga kjo, portali Llapi.info pati pranuar dhjetëra ankesa nga pacientët për siç ka thënë, pritje të gjata nëpër korridoret e institucioneve shëndetësore në Podujevë./Llapi.info