Pesë pjesëtar të Policisë së Kosovës gjatë së shtunës u lënduan gjatë një aksioni që po ndërmerrnin kundër kontrabandës me mallra në veri të vendit, përkatësisht në Leposaviq.

Policia dje përmes një njoftimi bëri të ditur se vetura e policisë është goditur dy herë nga një kamion në të cilin dyshohej se kishte mallra të kontrabanduara.

Zyrtarët policorë janë detyruar që të përdorin edhe armën zyrtare pasi që shoferi i kamionit po rrezikonte edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

“Në përpjekje e sipër për ta ndaluar, vozitësi i kamionit e ka goditur veturën policore për herë të dytë, duke u shkaktuar lëndime zyrtarëve policorë si dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Duke parë rrezikun e lartë për jetën e zyrtarëve policorë si dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, zyrtarët policorë kanë ndërmarr veprimet e domosdoshme dhe proporcionale me qëllim të ndalimit të rrezikut duke përdorur edhe armën zyrtare”, thuhej në njoftimin e policisë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin A.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë“, “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”, si dhe “Kontrabandimi i mallrave”.

Kujtojmë se ky nuk është sulmi i vetëm që ndodhi ndaj pjesëtarëve të policisë në veri të vendit.

Jo më larg se para tre muajve, pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri u përballën me sulme të njëpasnjëshme. Nga 13-26 prill ata u sulmuan për gjashtë herë radhazi.

Persona të panjohur qëlluan kundër automjeteve të policisë me armë automatike, AK 47 e granata dore. Po ashtu, u vendosën iriqë metalik në rrugë dhe mjete tjera të forta. Lëndime në njerëz nuk ka pasur, vetëm dëmeve materiale.

Lidhur me këto sulme autoritetet në Kosovë thanë se janë duke zhvilluar hetime intensive, por ende nuk dihet nëse ka persona të arrestuar apo të dyshuar.