Qeveria e Kosovës u ka dërguar veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës propozimin nga kryeministri Albin Kurti, lidhur me kërkesat e tyre për përfshirje në pagën minimale.
Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, raporton Indeksonline.
Kurti ka propozuar që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.
Në propozimin e kryeministrit thuhet se hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit duhet të kryhet në një kohë sa më të shpejtë.
Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, ai ka propozuar përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar.
“Ne besojmë se me këtë propozim sigurohemi që të kemi një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popullit tonë dhe duke mundësuar një trajtim të dinjitetshëm atyre që dhanë kontributin e tyre në çlirimin e vendit”, tha Kryeziu.
Tutje, ai shtoi se alternativë ndaj këtij propozimi mbetet zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizimin e veteranëve.
“Ky ligj në momentin e miratimit, nga çfarë kemi kuptuar në takimin e qershorit, ka pasur edhe mbështetjen e OLV të UÇK-së. Të dy alternativat do të zhvilloheshin veçmas dhe pa e penguar apo ndikuar procesin gjyqësor në zhvillim e sipër”, u shpreh ai.
Veteranët e UÇK-së më 16 qershor të këtij viti kanë mbajtur protestë gjithëpopullore në shenjë pakënaqësie për miratimin e Ligjit për pagën minimale dhe mospërfshirjen e tyre.