Policia e Kosovës ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për pajisjen e qytetarëve me dokumentin për hyrje/dalje në territorin e Serbisë.
Përmes njoftimit, PK bëri të ditur se që nga 1 gushti çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një dokument hyrje/dalje që zëvendëson përkohësisht përdorimin e një dokumenti të tillë.
“Dokumenti hyrje/dalje do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore. Me qëllim të zbatimit të vendimit, mundësimit të pajisjes më të shpejtë me dokument hyrje/dalje për qytetarët që kanë nevojë, shmangies së pritjeve dhe mundësimit të qarkullimit më të lehtë kufitar, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore, si në aspektin e burimeve njerëzore, po ashtu edhe në ato teknike e logjistike”, thuhet në njoftim.
Tutje, Policia ka sqaruar edhe informacionet zyrtare që qytetarët duhet t’i kenë lidhur me pajisjen e këtyre dokumenteve.
“• Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës nga data 1 gusht 2022 me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset me Dokument Hyrje/Dalje. • Dokumenti për Hyrje/Dalje do të zëvendësojë dokumentin e identifikimit personal gjatë hyrjes dhe qarkullimit në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe për shfrytëzim në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. • Dokumenti për Hyrje/Dalje do të lëshohet në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor dhe ajror. • Dokumenti për Hyrje/Dalje ka afat vlefshmërie nëntëdhjetë (90) ditë. • Me dokument për Hyrje/Dalje pajisen edhe personat e moshës nën 16 vjet, të cilët nuk posedojnë dokument identifikimi, me kusht që të kenë me vete certifikatën e lindjes me fotografi”, thuhet ndër tjerash në njoftim