Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se publikimi i shpenzimeve të ish të ngarkuarit si shef i Misionit Diplomatik të Kosovës në Shkup, Prindon Sadriut, ka qenë i pamundur për ministrinë.

Sipas Gërvallës, Ministria e Punëve të Jashtme ka mungesë të kapaciteteve për trajtimin e rasteve të shpenzimeve të secilit mision “veç e veç”.

Në një konferencë për media në Prishtinë të martën, Gërvalla ka deklaruar se shpenzimet do të publikohen si të plota, në një periudhë afat-shkurtër kohore.

“Ne kemi pasur një kërkesë. Ministria e Punëve të Jashtme, shpenzimet e misioneve i ka si shpenzime të misioneve, nuk janë të ndara individualisht. Nuk kemi kapacitetin sa i përket personelit momentalisht, prandaj edhe reforma në këtë institucion është edhe më e nevojshme. Shpenzimet nuk mund t’i ndajmë veç e veç”, tha Gërvalla.

Ajo premtoi se do të publikohen shpenzimet e secilit mision diplomatik të shtetit.

“Unë mendoj që është diçka logjike dhe e thjeshtë: nuk kemi asnjë lloj interesimi që të mbajmë fshehur shpenzimet e askujt”, tha ajo.

Ministria e Punëve të Jashtme u gjobit me 13 mijë euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) për shkak të mos ofrimit të qasjes në dokumente publike ndaj portalit Insajderi.